Saturday 9 August 2014

Kombi kuq e zi

Nga: Blerim VELA

Pamje nga festimet e 'Emancipation Day' 
në Port of Spain, gusht 2014.
Ngjyrat kombëtare të Trinidadit dhe Tobagos janë e kuqja dhe e zeza. Trinidadi është vend tropikal që ka qenë mes tjerash edhe koloni britanike – kjo bënë që shumë aspekte qeverisëse dhe të kulturës formale të jenë të ngjashme me ato në Britani. Aktiviteti i preferuar i trinidadasve është ‘liming’ që në kontekstin kosovar është diçka e ngjashme me ‘chilling’ por këtu theksi është në ndarjen e pijeve dhe ushqimit me tjerët.

Trinidadi nuk njihet si vend i tensioneve ndëretnike apo me shtetet në fqinjësi. Bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme etnike dhe religjioze është për çdo lakmi. Diversitet dhe harmoni të tillë vështirë që mund të gjendet dikund tjetër. Njëra ndër arsyet e harmonisë në shoqëri mund të jetë fakti që shumica e banorëve të Trinidadit janë pasardhës të skllevërve që i kanë sjellë pushtuesit e ndryshëm (Perandoria Britanike dhe Spanjolle) nga Afrika dhe India. Gjatë kohës këto grupe janë përzier mes vete. Si rrjedhojë, grupet e ndryshme etnike e religjioze nuk kanë kujtesë të kultivuar të kaluarës si grup që mund të shërbejë si pikë ndarëse mes komuniteteve. Kjo ka bërë që pjesëtarët grupeve të ndryshime të merren më shumë me të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët dhe shumë pak me të kaluarën. Mësim shumë i mirë për popujt e Ballkanit dhe më gjerë…

Trinidadi konsiderohet storie e suksesit në regjionin e Karraibeve duke qenë shteti me zhvillimin më të madh ekonomik. Kjo falë rezervave të gazit dhe naftës. Megjithatë, kur flet me njerëz të rëndomtë në rrugë apo dhe politikanë nga dy krahët e spektrit politik, korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha që pengon distribuimin e barabartë të pasurisë shtetërore. Në qytetet e Trinidadit nuk sheh luksin e vendeve arabe të pasura me naftë. Përkundër përkujdesjes së gjerë sociale për njerëzit në nevojë, pamje që bie në sy janë numri i njerëzve të pastrehë në qytete. Poashtu, çfarë të bënë përshtypje është numri i madh i bizneseve të vogla që tregon se tregtia është në rritje. Vendi është nonstop në lëvizje sikurse janë edhe rrugët plotë vetura, edhepse i gjithë shteti nuk ka më shumë se 1,3 milion banorë.

Ndonëse vend me territor të vogël, Trinidadi gëzon sovranitet të plotë në politikat e brendshme dhe të jashtme. Qeveria dhe elita politike nuk ftohen në ambasada të ndonjë vendi të huaj për të marrë instruksione se si të qeverisin. Nuk i monitoron ndonjë organizatë ndërkombëtare a po i përmbushin standardet politike dhe ekonomike të caktuar nga grup shtetesh që zbatohen përmes kërkesave nga burokrat thatanik por me xhepa të mëdhenj. Kjo të bënë të mendosh mirë se sa të dobishme janë modelet e integrimeve ndërshtetërore kur vet njësia bazë (shteti) nuk funksionon si duhet.

Shumë gjëra e bëjnë të veçantë Trinidadin. Por ajo që e bënë të shquhet janë njerëzit. Janë tepër të qetë dhe miqësor. Ndoshta është kultura e karraibeve që i bënë njerëzit të jenë më të lirë dhe të afërt me një të huaj. Gjithsesi është një vendi që vlen të vizitohet…sidomos në sezonën e karnevaleve!

(Nuk lejohet publikimi në media i këtij opinioni pa lejen paraprake të autorit)